Wednesday, September 5, 2012

10 kuriozitete rreth “Titanik”-ut


Më 15 prill bëhen plot 100 vjet nga fundosja tragjike e “Titanik”-ut. Po ju japim 10 fakte interesante nga transoqeaniku gjigant i cili u mbyt në udhëtimin e tij të parë, nga Sauthhemptoni (Angli) në Shtetet e Bashkuara.
10. Pasditen e 14 prillit, udhëtarët e klasit të parë shijuan një vakt me dhjetë lloje gjellësh (midhje, salmon të zier, fileto lope, mish qengji me salcë mendre, çokollatë, puding etj). Sipas “Armchair World”, pas çdo pjate u shërbye një lloj i ndryshëm vere, ndërsa në fund u shoqëruan me kafe dhe puro të shtrenjta.
9. “Titanik”-u kishte gazetën e vet. Sipas Qendrës Shkencore Natyrore të Grinsboros, “The Atlantic Daily Bulletin” shtypej përditë dhe kishte lajme, çmimet e fundit të aksioneve në bursa, rezultatet e garave me kuaj, thashetheme të shoqërisë së lartë dhe një menu të përditshme.
8. Si më modernia për kohën, anija gjigante kishte një sërë kushtesh luksoze: banja turke, biblioteka, fushë skuoshi dhe pishinë me ngrohje. Gjithashtu, transoqeaniku kishte në bord edhe një qendër shëndetësore me sallë operacioni.
7. Ndërkohë që “Titanik”-u kishte në bord disa nga njerëzit më të pasur në botë, dy persona të famshëm për kohën nuk e bënë udhëtimin fatkeq. Sipas “Discovery.com”, financieri J.P. Morgan dhe çokollatëbërësi i famshëm Milton S. Hershei kishin planifikuar të udhëtonin me anijen, por e anuluan në çastin e fundit.
6. Më pak se një muaj pas tragjedisë, aktorja e filmave pa zë Doroti Gibson, e mbijetuar e “Titanik”-ut, luajti në filmin “E shpëtuar nga ‘Titanik’-u”. Ajo solli në film historinë e vet nga tragjedia, së bashku me fustanin e bardhë prej mëndafshi që mbante veshur mbrëmjen e fundosjes së tragetit. Filmi pati sukses të jashtëzakonshëm në Amerikë dhe Angli, por gjurmët e tij u dogjën aksidentalisht vetëm dy vite më pas.
5. Shumë artefakte nga “Titanik”-u arritën të shpëtojnë. Muzeu i Titanikut në Masaçusets, më i madhi dedikuar tragjedisë, “strehon” disa sende nga anija e mbytur: jelekë dhe varka shpëtimi, menu dreke dhe darke, një qilim katror nga mjediset e klasit të parë, letra e kartolina të shkruara në bord, porcelane luksoze dhe një kambanë që vendosej në urën e anijes.
4. Sipas “Mirror”-it, së fundi është zbuluar një violinë që mendohet se ishte e udhëheqësit të orkestrës së “Titanik”-ut, Uollas Harlei. Ndërkohë që një sërë testesh janë bërë për të vërtetuar autenticitetin e violinës, nëse shitet ajo pritet të thyejë rekordin e një artefakti të “Titanik”-ut. Aktualisht ky rekord mbahet nga çelësat e postës së tragetit, që u shitën në 2007-ën në Angli për shumën e 101 000 stërlinave.
3. Ish-shtëpia e një prej të mbijetuarve më të famshëm të “Titanik”-ut është aktualisht muze në Denver. Shtëpia që në vitin 1910 ishte e Margaret Braunit, aktiviste dhe filantropiste e njohur (më pas mori nofkën “E pambytshmja Moli Braun”), tani është e hapur për ture dhe uorkshope.
2. I mbijetuari i fundit i “Titanik”-ut vdiq në vitin 2009. Milvana Diin ishte vetëm 9-javëshe dhe udhëtarja më e re në anije. Ajo u mor në një nga varkat e shpëtimit dhe mbijetoi. Sipas “The Guardian”, vdekja e saj në moshën 97-vjeçare erdhi vetëm një muaj pasi Leonardo Di Kaprio dhe Kejt Uinslet, aktorët e filmit “Titanik”, e ndihmuan të moshuarën duke i paguar shpenzimet e kujdesit mjekësor në shtëpi.
1. Nga shumë burime del që kënga e fundit e luajtur nga orkestra e “Titanik”-ut është “Nearer My God To Me” (“Afrohu o Zot tek unë”). Por, në një intervistë të vitit 1912 në New York Times”, Harold Brajd, një nga pjesëtarët e mbijetuar të ekuipazhit, tha që orkestra luajti marshin “Vjeshta” ndërkohë që anija fundosej.

No comments:

Post a Comment